Komentimi i sures “Er-Rrahman”

Written by imri   // 08/09/2012   // 0 Comments

favours_v6

Surja “Er-Rrahman” bën pjesë në grupin e sureve, për të cilat nuk janë në ujdi të gjithë dijetarët nëse është mekase a medinase, ndonëse, sipas shumicës dërrmuese të tyre, kjo sure është mekase. Por, për të sqaruar më mirë pozicionimin e dijetarëve në lidhje me këtë çështje, do të sjellim mendimet dhe argumentet e të dy grupeve…

Argumentet e grupit që mendojnë se kjo sure është mekase

-Transmeton Nehasi nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Surja “Er-Rrahman” ka zbritur në Mekë”.

- Transmeton Ibn Merduvije nga Abdullah ibn Zubejri, të ketë thënë: “Surja “Er-Rrahman” ka zbritur në Mekë”. Të njëjtin transmetim, Ibn Merduvije e përcjell edhe nga Aishja r.a..1 Mendimin se kjo sure është mekase, prej

mufessirëve e përkrahin: Kurtubiu2, Ebu Hajjan El-Endelusi3, Ibn Kethiri4, Ibn Adili5, Begaviu6 dhe shumë të tjerë, të cilët bazohen në fjalët e Hasanit, Urvete ibn Zubejrit, Ikrimes, Ataut, Xhabirit si dhe të Ibn Abasit, i cili një herë tjetër thotë se kjo sure e tëra është mekase përveç ajetit 29: “Jes’eluhu men fi-s-semavati vel erd”, i cili, sipas tij, ka zbritur në Medinë”.7

- Argument tjetër i xhumhurit të dijetarëve, se kjo sure është mekase, është ç’është transmetuar nga Urvete ibn Zubejri të ketë thënë: “I pari njeri që pas Pejgamberit a.s. lexoi haptazi Kur’an në Mekë, ishte Ibn Mes’udi. Kjo kishte ndodhur pasi ashabët kishin thënë: Deri më tani asnjëherë kurejshët nuk e kanë dëgjuar Kur’anin të lexohet me zë të lartë, prandaj, a ka dikush në mesin tonë, i cili mund ta bëjë këtë? Unë do ta bëj këtë, – tha Abdullah ibnu Mes’udi. Shokët ia pritën: Ne druajmë për ty. Por, dëshirojmë që këtë ta bëjë dikush që ka familje, e cila mund ta marrë nën mbrojtje, në rast se kurejshët i dëshirojnë të keqen. P or ai e refuzoi këtë dhe u nis në drejtim të Qabesë, derisa arriti te “Mekami Ibrahim” dhe filloi të lexonte me zë të lartë:

“Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim. Err- Rrahman Al-lemel Kur’ane. Halekal insane. Al-lemehul bejane…”. Ai vazhdoi të lexonte derisa tërhoqi vëmendjen e kurejshëve, të cilët pyetën të habitur: Çka është duke thënë Ibnu Um-mi Abdi?! Medet për të… Ai po lexon atë që i është zbritur Muhamedit! Kurejshët u ngritën të mllefosur. Filluan ta grushtonin, ta goditnin fytyrës, por megjithatë ai vazhdoi ta lexonte derisa e përfundoi, ndërsa gjaku po I rridhte rrëke prej fytyrës. Kur shkoi tek as’abët, ata i thanë: Për këtë ta kishim frikën. Ndërsa Ibn Mes’udi ua ktheu: Betohem në Allahun se armiqtë e Tij, tash janë më të dobët në sytë e mi, e nëse dëshironi, unë do ta përsëris këtë edhe nesër. – Jo, i thanë ata.. Mjafton kjo që bëre sot, sepse ata prej teje dëgjuan atë që e urrejnë.8

- Po ashtu transmetohet se i Dërguari i Allahut ua kishte lexuar exhinëve këtë sure, dhe kjo ngjarje dihet se ka ndodhur në Mekë, pa kurrfarë mospajtimi në mesin e dijetarëve.9

- Argumenti tjetër se kjo sure është mekase, është transmetimi që përcillet nga Esma, bija e Ebu Bekrit, kur thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke e lexuar “Fe bi ejji alai rabbikuma tukedh-dhiban”, kur ai ishte duke u falur në qoshe të Qabesë, në kohën kur nuk ishte urdhëruar ende që të thërriste haptazi në Islam, ndërkohë që idhujtarët e dëgjonin atë çka ai lexonte.”10 – Imam Sujutiu, kur flet për suret për të cilat dijetarët nuk janë në ujdi rreth vendit të zbritjes, flet edhe për suren “Er-Rrahman”, për të cilën në fund, zgjedh mendimin e xhumhurit se kjo sure, sipas të gjithë parametrave të vlerësimit, është zbritje mekase.11

Argumentet e grupit që mendojnë se kjo sure është medinase

- Transmetojnë Ibn Durejsi, Ibn Merduvije dhe Bejhekiu nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Surja “Er-Rrahman” ka zbritur në Medinë”.12

- Mukatili, me një grup të vogël dijetarësh, pretendojnë se kjo sure është medinase. Mbase dikush prej tyre ka dashur të aludojë se kjo sure është medinase, për faktin që Suhejl Ibn Amri, në emër të delegacionit negociues të kurejshëve, kishte refuzuar të nënshkruante Marrëveshjen e Hudejbijes me fjalët “Bismil-lahi Rrahmani Rrahim”, duke thënë se nuk e njohim këtë emërtim “Er-Rrahman Er-Rrahim”, por kishte insistuar ta shkruanin “Bismike Allahumme”.13 Megjithatë, ky mendim është i paqëndrueshëm dhe nuk gëzon ndonjë përkrahje në mesin e dijetarëve.

- Disa dijetarë të tjerë, pa të drejtë ia kanë adresuar edhe Abdullah Ibn Mes’udit thënien se kjo sure është medinase, po një gjë e tillë po

ashtu nuk qëndron, sepse vetë Ibn Mes’udi, në Mus’hafin e tij, këtë sure e ka llogaritur të parën prej kategorisë “El-Mufassal”, si dhe është pikërisht ai (ashtu siç cekëm më sipër) që e lexoi i pari haptazi këtë sure para idhujtarëve mekas, qysh në fillet e para të zbritjes.

Përfundim

Nga argumentet e të dy grupeve të dijetarëve, shihet qartë se kjo sure është mekase. Sa për ta përforcuar edhe më tepër këtë mendim, të cilin e përkrah edhe unë, do të sjell edhe mendimin e dijetarit të madh bashkëkohor Muhamed Sejjid et-Tantavi në lidhje me këtë, kur konstaton: “Mendimi që ka sjellë Imam Kurtubiu se surja “Er-Rrahman” është mekase, është mendim në të cilin të fle shpirti, sepse në këtë sure, që nga fillimi e deri në fund, vërehen fryma dhe shenjat e sureve mekase, në të cilat dominojnë ajetet e shkurtra, argumentet për Njëshmërinë e Allahut, fuqinë e Tij absolute, mirësitë e begatitë e Tij ndaj krijesave; për të ardhmen e ndritur të të devotshmëve (në Xhenet) dhe përfundimin e keq të të këqijve në jetën tjetër (Xhehenem)”.14

Pra, kjo sure është mekase në tërësi. Ka gjithsej 78 ajete, 351 fjalë dhe 1636 shkronja.15 Në radhitjen e Mus’hafit ka numrin 55, kurse në radhitjen e zbritjes është e 43-ta. Ka zbritur pas sures “El-Furkan” dhe para sures “Fatir”.16

Emërtimi i kësaj kaptine

Kjo sure është emërtuar “Er-Rrahman”, sipas ajetit hyrës të saj, një sure e cila është madhështore për faktin se fillon me njërin prej emrave të bukur të Allahut, i cili, në disa rivajete, cilësohet madje si emri më i madh i Allahut. Në lidhje me këtë emërtim, kemi edhe një transmetim nga Xhabiri r.a. i cili citohet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut një ditë doli para ashabëve dhe ua lexoi suren “Er-Rrahman” në tërësi, prej fillimit e deri në fund…”17 Kjo sure njihet edhe me emërtimin “Arusul Kur’an”, ashtu siç e ka quajtur Pejgamberi a.s. në hadithin që përcjell Aliu r.a.: “Çdo gjë ka “Aureolën e bukurisë”, e Aureola e Kur’anit – “Arusul Kur’an” është surja “Er-Rrahman”,por që, sipas Imam Sujutiut, nuk do të thotë domosdoshmërish të jetë një emër tjetër i kësaj sureje.

Në disa libra të tefsirit mund të gjejmë edhe mendime si ky: se kjo sure është emërtuar“Er- Rrahman” si kombinim i shkronjave simbolike të sureve që filllojnë me këto shkronja: Elif Lam Ra18, Ha Mim19 dhe Nun20 Këtë mendim e ka cekur Maverdi në tefsirin e tij21, duke përcjellë transmetimin nga Seid ibn Xhubejri dhe Sha’biu. Megjithatë, ky është vetëm një mendim dhe ixhtihad i dijetarëve, kurse të vërtetën e di vetëm Allahu Fuqiplotë. Vlera e kësaj kaptine

- Transmetohet nga Alkame dhe El-Esvediu të kenë thënë: Erdhi një njeri tek Abdullah ibn Mes’udi dhe i tha: Unë i lexoj të gjitha suret “El-Mufassal”, në një rekat, e Ibn Mes’udi i tha: A mos po mendon se ky Kur’an është si poezi, që të ngutesh në leximin e tij e të ndalesh ku të duash, dhe a mendon se këto vargje kuranore u ngjajnë vargjeve të hurmave të prishura? Dije se Pejgamberi a.s. në një rekat lexonte vetëm nga dy sure prej sureve “El-Mufassal”, si: “En-Nexhm” dhe “Er-Rrahman” në një rekat, “Ikterebeti-s-sa’atu” dhe “El-Haakkah” në një rekat, “Et-Tur” dhe “Edh-Dharijat” në një rekat, “Idha vekeatil vakia” dhe “Nun” në një rekat, “Se’ele sailun” dhe “En-Naziat” në një rekat, “Vejlun lil mutaffifin” dhe “Abese” në një rekat, “El-Muddeth-thir” dhe “El-Muzzemmil” në një rekat, “Hel eta alel insani” dhe “La uksimu bi jevmil kijame” në një rekat, “Amme jetesaelune” dhe “El-Murselat” në një rekat, dhe “Ed-Duhan”dhe “Idhe-sh-shemsu kuvviret” në një rekat.”22

- Transmetohet nga Aliu r.a. të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Çdo gjë ka “Aureolën e bukurisë”, e Aureola e Kur’anit – “Arusul Kur’an” është surja “Er-Rrahman”.23

- Transmetohet nga Enesi r.a. të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s. namazin e vitrit e falte nëntë rekate, ndërsa, kur u moshua dhe iu rëndua trupi, vitrin e falte shtatë rekate, ndërkohë që dy prej këtyre rekateve i falte ulur dhe në to lexonte suret: “Er-Rrahman” dhe “El- Vakiatu”.24

- Transmetohet nga Esma, bija e Ebu Bekrit, të ketë thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke e lexuar “Fe bi ejji alai rabbikuma tukedh-dhiban” kur ishte duke u falur në qoshe të Qabesë, në kohën kur I Dërguari i Allahut nuk ishte urdhëruar ende që të thërriste haptazi në Islam, ndërkohë që idhujtarët e dëgjonin atë që lexonte ai.25

- Transmetohet nga Xhabiri r.a. të ketë thënë: I Dërguari i Allahut një ditë doli para ashabëve dhe ua lexoi suren “Er-Rrahman” në tërësi, prej fillimit e deri në fund, ndërsa ashabët kishin heshtur të gjithë. Ai u kishte thënë: “Ua kam lexuar exhinëve këtë sure në “Natën e exhinëve” e ata kanë reaguar më mirë se ju. Sa herë që vija tek fjalët e Allahut: “Fe bi ejji alai rabbikuma tukedh-dhiban” ata thoshin: “Nuk e mohojmë asgjë prej mirësive të Allahut. Vetëm Atij I takon falënderimi”.26

Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine

Lidhur me shkakun e zbritjes së kësaj sureje, dijetarët kanë përmendur dy transmetime:

- Kur pati zbritur ajeti 60 i sures “El-Furkan”: “E kur u është thënë atyre: Bëni sexhde ndaj të Madhërishmit, ata thanë: “E kush është Rrahmani

- Mëshiruesi?…”. Idhujtarët patën thënë: “Kush është Rrahmani”, prandaj Allahu xh.sh. e zbriti këtë sure, për të dëftuar madhështinë e të Githëmëshirshmit- Rrahmanit.27

- Idhujtarët mekas, në lidhje me atë që po i zbriste Muhamedit a.s., thoshin: “Atë (Muhammedin) është kah e mëson një njeri”!.- (En-Nahl, 103). Prandaj, për të demantuar këto fjalë dhe bindjet e tyre, zbriti surja “Er- Rrahman”.28

Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Kamer”

Në mes sures “Er-Rrahman” dhe asaj paraprake “El-Kamer” ekzistojnë lidhshmëri të ngushta në shumë aspekte dhe dimensione…

- Surja “El-Kamer” fillon me mrekullinë e çarjes së Hënës, ndërkohë që surja “Er- Rrahman”, që në ajetin e 2-të, fillon me përmendjen e mrekullisë më të madhe të Muhamedit a.s.- Kur’anit famëlartë.

- Fundi i sures “El-Kamer” – “…Inde melikin muktedir”-“…te Sunduesi i Plotfuqishëm (tek Allahu).”, ka një vazhdimësi të pashkëputur me fillimin e sures “Er-Rrahman”, sepse Sunduesi i Plotfuqishëm është i Gjithëmëshirshmi- Rrahmani. E dihet se askush tjetër përveç Allahut xh.sh. nuk mund të jetë njëkohësisht i Gjithëmëshirshëm, i Gjithëfuqishëm dhe I Gjithëpushtetshëm.

- Të dy suret përfundojnë me lartësimin dhe madhërimin e Allahut xh.sh.. P.sh. në suren “El- Kamer” kemi ajetin e fundit: “…Inde melikin muktedir”-“…te Sunduesi i Plotfuqishëm (tek Allahu)”. Kurse në suren “Er-Rrahman”: “Tebarekesmu rabbike dhil xhelali vel ikram”- I lartësuar është emri i Zotit tënd, të madhëruar e të nderuar”! – Të dy suret përfundojnë me përshkrimin e mirësive dhe kënaqësive për të devotshmit në Xhenet. P.sh. në suren “El-Kamer” kemi ajetet 54-55: “Eshtë e vërtetë se të devotshmit do të jenë në Xhenete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm, te Sunduesi i Plotfuqishëm (tek Allahu)”. Ndërkaq në suren “Er-Rrahman” – prej ajeti 46 deri në fund të sures, ajeti 78, përshkruhen mirësitë e Xhenetit që do t’i gëzojnë të devotshmit.

- Si në suren “El-Kamer”, po ashtu edhe në suren “Er-Rrahman”, janë  përmendur momentet e trishtuara të Kiametit si dhe përshkrimi I Xhenetit dhe Xhehenemit.

- Që të dy suret flasin për madhështinë e Kuranit famëlartë. Në suren “El-Kamer” është përsëritur katër herë ajeti “Ve lekad jesserna hadhel Kur’ane li dhikri fe hel min muddekkir”- “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për ta kuptuar, a ka ndokush që merr këshillë?”, ndërsa në fillim të sures “Er Rrahman” ceken mirësitë e të mësuarit të Kur’anit nga ana e Allahut xh.sh..

Përmbajtja e kësaj kaptine

- Surja “Er-Rrahman”, që nga ajeti i parë e deri tek i fundit, të rrëmben me madhështinë, muzikalitetin dhe vokacionin e lartë artistikostilistik. Kjo sure karakterizohet nga ajete të shkurtra, por me ndikim shumë të thellë, ajete që kanë të bëjnë me bazat themelore të besimit, me argumente të fuqisë hyjnore dhe dhuntive e mirësive të Allahut ndaj krijesave, përfshirë njerëzit dhe exhinët.

- Kjo sure fillon me njërin prej emrave të bukur dhe ndër më të mëdhenjtë të Allahut xh.sh.- “Er- Rrahman”-“I Gjithëmëshirshmi”.

- Në vazhdim, Allahu xh.sh. numëron disa nga begatitë e Tij të mëdha, nga kryesoret Revelatën-Kur’anin famëlartë, të zbritur si udhërrëfyes dhe kurorë e të gjitha shpalljeve të mëparshme.

- Pastaj flet për krijimin e njeriut dhe qëllimin e krijimit të tij, që është të pajisurit e tij me dituri e njohuri për gjithçka e rrethon, për të njohur Krijuesin, i Cili e ka dalluar nga gjallesat e tjera me mendje, logjikë dhe ndërgjegje.

- Pas kësaj, hapen fletët e kësaj ekzistence, të cilat flasin për begatitë që Allahu i ka krijuar në këtë gjithësi, që të jenë në shërbim të njerëzve, si: Dielli, Hëna, yjet dhe bimët, për të vazhduar me ajete rreth qiellit, në të cilin mbretëron një rregull i përkryer, pastaj për tokën në të cilën ka bimë, pemë, fruta dhe të mbjella, po duke na njoftuar njëkohësisht se paralelisht, po në një dimension tjetër, të padukshëm për ne, jetojnë edhe exhinët, të cilët janë të ngarkuar po ashtu,dhe në botën tjetër do të shpërblehen ose ndëshkohen në varësi nga veprat.

Surja “Er-Rrahman” është surja e parë në Kur’an që u drejtohet bashkërisht  exhinëve dhe njerëzve në mënyrë eksplicite e të drejtpërdrejtë.

- Në vazhdim të sures, i Lartmadhërishmi flet për fuqinë e Tij hyjnore teksa na tregon se vetëm Ai ka mundësi të ndajë dy dete: të njelmëtin dhe të ëmblin, që të mos puqen në mes tyre, pastaj për nxjerrjen e margaritarëve nga deti i njelmët, për nxjerrjen e farës dhe frutave nga toka si dhe për lehtësimin e lëvizjes së anijeve nëpër dallgët e deteve dhe oqeaneve.

- Pas kësaj, jeta në këtë botë do të marrë fund, çdo krijesë në Tokë e në qiej ka për të vdekur, ka për të mbetur vetëm Allahu Fuqiplotë, e pastaj,

me Urdhrin e Tij, ka për të filluar ringjallja, e ata që nuk besuan, kanë për të përjetuar ndëshkime të tmerrshme në zjarret e Xhehenemit.

- Në vazhdim pasojnë ajetet që flasin për nimetet dhe begatitë, të cilat kanë për t’I përjetuar besimdrejtët në Xhenetet plot bukuri e hijeshi, në të cilët gurgullojnë lumenj, ku ka kolorit ngjyrash, pemë e fryte, ku xhenetlinjve kanë për t’u shërbyer vocërrakë të amshueshëm dhe hyritë me bukuri magjepsëse… Surja përfundon me ajetin: “I lartësuar është emri i Zotit tënd, të madhëruar e të nderuar”, që përkon me Madhërimin e Allahut, për hir të të gjitha këtyre begative ndaj njerëzve dhe krijesave të tjera…

 - vijon -

[1] Imam Sujutiu. “Ed-Durrul Menthur…” vëll. 14, f. 100, Kajro

2003. [2] Kurtubiu “El-Xhamiu li Ahkamil Kur’an” vëll.20,

f. 111, Bejrut, 2006. [3] Ebu Hajjan El-Endelusi “El-Bahrul

Muhit”, vëll.8, f. 186, Bejrut 1993. [4] “Umdetu-t-Tefasir anil

Hafidh ibn Kethir” vëll. 3, f.416 (redaktuar nga Ahmed Shakir,

Mensure-Egjipt, 2005. [5] Umer ibn Alijj ibn Adil ed-Dimeshkijj

“El-Lubabu fi Ulumil Kitabi” vëll. 18, f.290, Bejrut 1998. [6]

El-Begaviu “Mealimu-t-Tenzili”, vëll. 7, f. 441, Rijad, 1412 h. [7]

Dr. Vehbe Zuhajli “Et-Tefsirul Munir” vëll. 27, f. 204. Damask,

2007 (botimi i 9-të). [8] “El-Xhamiu li Ahkamil Kur’an” vëll.

20 f. 111; Begaviu “Mealimu-t-Tenzil” vëll.7, fq. 438; Siretu

Ibn Hisham vëll.1 f. 314.[9] Shih: Hafidh Izzuddin el Hanbeli

“Rumuzul Kunuzi fi tefsiri-l kitabil aziz”, vëll. 7, f. 543, Mekë,

2008; Shih edhe Tirmidhiu (5/399). [10] Transmeton Ahmedi

(6/349) dhe Taberaniu në “El-Kebir” (24/86). [11] Imam Sujutiu

“El”Itkan fi Ulumil Kur’an” vëll. 1. f. 23-24. [12] “Ed-Durrul

menthur…” vëll. 14, f. 100. [13] Imam Bejhekiu “Delailu-nnubuvveti”

vëll. IV, f. 146, Bejrut, 1988. [14] Muhamed Sejjid

et-Tantavi “Et-Tefsirul Vesit” vëll. 26, f. 161, Kajro 1986. [15]

Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj –

“Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani,

Bejrut-Liban, 2001, vëll. 28, f.261. [16] Ibn Ashur Et-Tahriru vet-

tenviru, vëll. 27, f. 228. [17] Tirmidhiu (3213); Hakimi (2/473).

[18] Me këto shkronja (Elif-Lam-Ra) fillojnë 5 sure: Junus, Hud,

Jusuf, Ibrahim dhe Hixhr. [19] Me këto shkronja (Ha-Mim)

fillojnë 7 sure: Gafir, Fussilet, Esh-Shura, Ez-Zuhruf, Ed-Duhan,

El-Xhathije dhe El-Ahkaf. [20] El-Kalem, 1. [21] Maverdi “En-

Nuket vel Ujun” vëll. 5, f. 424. [22] Transmetimi është i kategorisë

“sahih”. E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij (1396) dhe

thotë se radhitja e këtyre sureve është bërë nga Ibn Mes’udi.

[23] Hadithi është “daif”. E transmeton Bejhekiu në “Shuabil

Iman” (2/490). Për dobësinë e këtij hadithi ka dhënë shenjë edhe

Imam Sujutiu në “El-Xhamiu-s-Sagir”. El-Menavi në sqarimin

(komentimin) e “Sherhu-s-Sagir” të titulluar “Et-Tejsiru bi sherhi

el Xhami’i-s-Sagiri” (2/297) në lidhje me këtë hadith thotë: Isnadi

i tij është “hasen”. [24] Hadithi është i kategorisë “Hasen fil

fedail”. E transmetojnë Ibn Huzejme në “Sahihun” e tij (2/143)

dhe Bejhekiu në “Es-Sunenu-l-Kubra” (3/33). [25] Transmeton

Ahmedi (6/349) dhe Taberaniu në “El-Kebir” (24/86). [26] E

transmetojnë Tirmidhiu (3213); Hakimi (2/473) i cili këtë hadith

e vlerëson si “sahih” në “Mustedrekun” e tij, sipas kushteve të

Buhariut dhe Muslimit, ndonëse këta nuk e kanë transmetuar;

Bejhekiu në “Ed-Delail en-Nubuvveti” (2/232); [27] Hadaiku-rrrevhi

ve-r-rrejhani… vëll.28. f. 265. [28] Po aty, vëll.28. f. 265.

By: Sabri Bajgora

Dituria Islame 262


Postime te ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


× shtatë = 63